Shkalla e Meritës, sistem i ri vlerësimi për punësimin në administratë
Punësimi në administratën publike pritet të kalojë në një sistem të ri digjital përmes platformës e-Albania.
Kryeministri Edi Rama prezantoi nismën “Shkalla e Meritës”, ku kandidatët do të pajisen me një “pasaportë merite”, do të njoftohen automatikisht për vendet e lira të punës dhe do t'u nënshtrohen testimeve digjitale me vlerësim anonim.
Gjatë mbledhjes me socialistët, Rama deklaroi se sistemi i ri synon të krijojë një proces punësimi të bazuar te merita dhe të kufizojë ndërhyrjet politike në përzgjedhjen e punonjësve të administratës. Sipas tij, qytetarët shqiptarë, pavarësisht se ku ndodhen, do të mund të regjistrohen përmes e-Albania dhe të krijojnë “pasaportën e meritës”.
“Shkalla e meritës do të hapë një derë e cila do të rrijë hapur, përmes e-Albania, ku qytetari dhe i riu që do, kudo që është nënshtetas i Republikës së Shqipërisë, të paraqitet dhe të regjistrohet me një pasaportë merite të tijën. Sistemi, jo deputeti, sistemi vetë, pa urdhër, lajmëron për vendet e lira të punës. Kjo është një hapje e rrugës për të gjithë ata që duan të hyjnë”, tha Rama.
Provime digjitale dhe vlerësim anonim
Një nga elementet kryesore të sistemit do të jetë digjitalizimi i procesit të testimit. Sipas Kryeministrit, banka e pyetjeve do të administrohet nga sistemi, duke synuar të pamundësojë marrjen paraprakisht të pyetjeve, ndërsa personat që bëjnë vlerësimin nuk do të kenë informacion mbi identitetin e kandidatëve.
“Provimi bëhet digjital. Ti nuk ke nevojë të njohësh dhe të vish. Kush mendon që do e shtyjë siç e ka shtyrë deri tani e ka gabim, sepse do hajë një të shtyrë që të pyesë veten se ku është fundi, se që rashë, rashë. Banka e pyetjeve trajtohet nga sistemi, nuk mund të marrësh pyetjet më përpara, vlerësuesit janë të verbër fare, sepse nuk e kanë idenë fare se kë po vlerësojnë”, deklaroi Rama.
Vendimi përfundimtar do të certifikohet nga komisioni përkatës, por sipas Ramës, mënyra se si do të ndërtohet procesi do ta bëjë shumë të vështirë ndërhyrjen për të ndryshuar rezultatet e vlerësimit.
Sistemi do të njoftojë vetë kandidatët për vendet e lira
Ndryshe nga mënyra aktuale e kërkimit dhe aplikimit për një vend pune në administratë, sistemi i ri parashikon që kandidatët e regjistruar të njoftohen automatikisht për pozicionet e lira. Rama theksoi se njoftimi do të kryhet nga vetë sistemi dhe jo përmes ndërhyrjes së deputetëve apo personave të tjerë.
Nisma bazohet në praktika ndërkombëtare të përshtatura me realitetin shqiptar dhe shoqërohet me mekanizma të tjerë të paralajmëruar nga qeveria, si “BESA” dhe “Pasqyra”, në kuadër të ndryshimeve që synojnë digjitalizimin dhe transformimin e funksionimit të administratës publike.